Në banesë nuk ka thyerje të dyerve, dyshohet për krim në familje, detaje nga vdekja e dy të moshuarve në Dropull

Një ngjarje e rëndë ndodhi paraditen e kësaj të enjteje në fshatin Bodrisht të Dropullit. Një çift bashkëshortësh të moshuar janë gjetur të vdekur në banesën e tyre nga fqinjët.
Viktimat janë Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe, në trupin e të cilëve janë gjetur shenja dhune që dyshohet se janë shkaktuar nga goditjet me sende të forta rrethanore.
Në banesë nuk janë vërejtur thyerje të xhamave, apo të dyerve. Po ashtu orenditë ishin në vendin e tyre, duke shtyrë policinë që për momentin të përjashtojë pistën e një grabitjeje me dhunë.
Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të jetë një rast krimi brenda familjes e për këtë janë marrë në pyetje të afërm të viktimave.
Çifti i të moshuarve jetonte vetëm dhe nuk kishte fëmijë. /vizionplus.tv