Në burg për blerje votash/ Shtyhet seanca ndaj Belerit, GJKKO pranon kërkesën për zëvendësimin e gjyqtares

Është shtyrë seanca ndaj Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Belerit.
Shkak për këtë shtyrje ishte zëvendësimi i gjyqtares Etleva Deda me Flora Hajredinaj, kërkesë kjo e bërë nga avokatët në seancën e 12 tetorit dhe të pranuar këtë të martë nga GJKKO.
Gjyqtarja e re ka kërkuar kohë për shqyrtimin e dosjes në ngarkim të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit, ndërsa bëhet me dije se në seancën e sotme kanë qenë prezentë përfaqësues të ambasadës greke.
Seanca e radhës ndaj Belerit do të mbahet më 24 tetor në orën 11:00.
Në seancën e 12 tetorit, avokatët mbrojtës, përpos zëvendësimit të Dedës, kërkuan cilësimin e pavlefshmërisë të përgjimeve të bëra ndaj Belerit, me pretendimin se janë bërë jashtë procedurave.
SPAK-u e ka ngarkuar Belerin me veprën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Fredi Beleri ka premtuar 50 euro për çdo person që do të votonte për të.
Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e dosjes për gjykim, ndërkohë që Beleri ka kërkuar 6 herë zëvendësimin e masës së arrestit me burg me një masë më të lehtë, por kërkesa është refuzuar nga gjykata.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
/rtsh.al/