Në kërkim 29-vjeçarja, aplikoi për pasaportë me emër të rremë
TIRANE – Një punonjëse e gjendjes civile në Njësinë Bashkiake nr.8 në Tiranë është marrë në hetim nga antikrimi ekonomik, pasi dyshohet se ka lëshuar një certifikatë false për një vajzë 29-vjeçare. Policia nuk bën të ditur emrin e punonjëses së minibashkisë, ndërsa sipas burimeve është shpallur në kërkim shtetasja Rigelsa Bakollari, e cila është pajisur me certifikatë false. Nga të dhënat hetimore rezulton që 29-vjeçarja Bakollari, banuese në rrugën “Ferit Xhajko” në kryeqytet, rezulton të ketë aplikuar për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike me të identitet të rremë. Ndërsa pas verifikimeve të kryera nga oficerët e policisë, ajo është pajisur rreth dy muaj më parë, po në Njësinë Bashkiake nr.8, me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike me emrin e saj. Aplikimi i dytë nga ana e saj është zbuluar në zyrat e kompanisë “Aleat”, pas verifikimit të gjurmëve të gishtave. Burime nga grupi hetimor thanë se, pasi kishte aplikuar para dy javësh me gjeneralitete të rreme, punonjësit e “Aleat” kanë zbuluar se gjurmët e gishtave të saj ndodheshin dy herë në sistem dhe nga verifikimet ka rezultuar që ajo ishte e pajisur me kartë dhe pasaportë biometrike. Menjëherë pas konstatimit, punonjësit e kompanisë që prodhon pasaportat dhe kartat, i janë drejtuar Policisë së Tiranës, duke i vënë në dispozicion materialet e nevojshme që provonin shkeljen e kryer nga 29-vjeçarja Rigelsa Bakollari. Nga hetimet ka rezultuar që edhe aplikimin e dytë me identitet të rremë, vajza e ka kryer në të njëjtën Njësi Bashkiake, pasi është pajisur me një certifikatë false, me foton e saj, por me gjeneralitete që i përkisnin një personi tjetër. Oficerët e antikrimit ekonomik kanë shoqëruar dhe kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj punonjëses së minibashkisë që kishte lëshuar certifikatën, ndërsa kanë shpallur në kërkim Rigelsa Bakollarin, e cila rezulton të ketë vjedhur identitetin e një vajze tjetër, e cila ka moshën e saj, por nuk rezulton të jetë e pajisur me kartë identiteti dhe as pasaportë biometrike.
Vjedhja e identitetit
Muajt e fundit është kthyer në një fenomen shqetësues pajisja me karta identiteti dhe pasaporta biometrike e personave të ndryshëm që aplikojnë me identitet tjetër. Policia shqiptare ka arrestuar së fundmi shtetas kryesisht kosovarë, të pajisur me pasaporta biometrike, punonjës të gjendjes civile, apo edhe punonjës administrate, si të përfshirë në rrjetin e falsifikimit nëpërmjet vjedhjes së identitetit.