Në kërkim për dosjen e kryeprokurorit Zarka, vetëdorëzohet avokati Radovan Çela

Është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës, avokati Radovan Çela.
Çela u shpall në kërkim për dosjen e kryeprokurorit Zarka. Radovan Cela, është i dyshuar për “korruptim të gjyqtarit ose prokurorit” në 2 raste dhe “ndikim i paligjshëm” në 5 raste. Ndaj tij nga GJKKO, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve Alfred Vladi, Radovan Çela, Eriona Dautaj dhe Aurel Zarka, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë. Po ashtu kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
Vendimi i GJKKO, për Radovan Celën:
Caktimin ndaj personit nën hetim Radovan Çela, (në cilësinë e avokatit), të masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer dy herë, një herë e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal; (ii)“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer pesë herë, kryer në bashkëpunim katër herë, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021).
/abcnews.al./