Në kërkim prej 13 vjetësh nga Greqia për vrasje dhe plagosje, shqiptari kapet sapo zbret në aeroportin italian

Një 47-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur dhe që ishte në kërkim prej 13 vitesh nga Greqia, është kapur sapo zbriti në aeroportin e Riminit në Itali.
Arratisja e tij përfundoi pasditen e 17 shkurtit, në aeroportin e ‘Rimini Fellini’, kur policia e gjurmoi sapo zbriti nga avioni që mbërrinte nga Shqipëria.
Shqiptari ishte subjekt i një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet gjyqësore greke, për një vrasje dhe tentativë vrasjeje të kryer në vitin 2012, duke përdorur një armë zjarri, ngjarje e ndodhur në Agios Panteleimon, një vendpushim bregdetar popullor në Greqinë lindore, jo shumë larg Athinës, raportojnë mediat italiane.
Pas vrasjes së një bashkëatdhetari të tij dhe plagosjes së rëndë të një tjetri, 47-vjeçari u zhduk mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Falë përpjekjeve hetimore të policisë kufitare të Riminit, i kërkuari u kap pasi fluturimi i tij nga Tirana zbarkoi në Rimini. Shkëmbimi i informacionit midis departamentit të policisë “Sirene”, Policisë së Shtetit dhe forcave policore greke ishte thelbësor.
“Oficerët e policisë kufitare të Riminit, tashmë në gatishmëri në orët para uljes së fluturimit nga Tirana, pritën avionin në pistë. Sapo pasagjeri kaloi kontrollin e dokumenteve (ai po udhëtonte me një pasaportë të vlefshme), ai u ndalua. Burri nuk bëri rezistencë dhe u dërgua në zyrat e Policisë Kufitare për procedurat e identifikimit dhe më pas u transferua në burgun e Riminit , në pritje të një seance dëgjimore para Gjykatës së Apelit të Bolonjës, e cila ka juridiksion mbi ekstradimin”, shkruajnë mediat italiane.
Procesi kërkon që, autoritetet greke të formalizojnë kërkesën për dorëzim, për qëllime ekstradimi dhe në ditët në vijim, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Bolonjës do të vlerësojnë nëse plotësohen kushtet apo jo.