E Diel, 1 Nëntor 2026

Në majën e Empire State Building, një banderolë për paqen dhe një propozim martese

Nju Jork, 2 korrik /ATSH/ Dy persona u ngjitën në majën e ndërtesës ikonike Empire State Building në Nju Jork, ku shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtetin, bota njeh paqen.”

Sipas Reuters, dy personat janë identifikuar nga policia si rusët Angela Nikolau dhe Ivan Kuznetsov, i njohur edhe me emrin Vanya Beerkus. Ata janë të njohur për ngjitjet e tyre në rrokaqiej dhe struktura të larta në vende të ndryshme të botës, ndërsa historia e tyre është dokumentuar edhe në filmin dokumentar të Netflix “Skywalkers: A Love Story”, i publikuar në vitin 2024.

Pas zbritjes, çifti u arrestua nga policia e Nju Jorkut dhe përballet me akuza, mes të cilave hyrje e paligjshme, rrezikim i jetës dhe vepra të tjera që lidhen me shkeljen e masave të sigurisë. Menaxhmenti i Empire State Building e cilësoi ngjarjen një hyrje të paautorizuar, duke theksuar se incidenti nuk rrezikoi vizitorët apo personelin e ndërtesës.

Mbetet ende e paqartë se si arritën të ngjiteshin deri në majën e kullës 443 metra të lartë, një nga monumentet më të njohura të qytetit.

Sipas raportimeve, para se të nisnin zbritjen, burri i propozoi martesë partneres së tij, e cila pranoi, duke e kthyer protestën simbolike në një moment personal që tërhoqi vëmendje të madhe në rrjetet sociale.  

Autoritetet po hetojnë mënyrën se si çifti arriti të kapërcente masat e sigurisë dhe të ngjitej në një nga pikat më të paarritshme të Empire State Building.  

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›