Në mbrëmjen e ndërrimit të viteve Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë vizitojnë të sëmurët dhe ekipin mjekësor të shërbimeve të mjeksisë së brendshme në QSUT.

31 dhjetor 2009
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi vizitoi sot në mbrëmje pacientë dhe ekipin mjekësor në shërbimet e mjeksisë së brendshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet.
I shoqëruar nga Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, Drejtori i pavionit të gastrohepatologjisë, Jovan Basho dhe drejtues e mjekë të tjerë, Kryetari i Shtetit së bashku me Zonjën e Parë, vizitoi pacientë të reparteve të ndryshme, duke u interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore, duke u uruar shërim të shpejtë, si dhe një Vit të Ri sa më të mbarë e të suksesshëm.
Presidenti Topi bashkëbisedoi edhe me ekipin e mjekëve e infermierëve mbi punën e problemet e përditshme, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në detyrë, me një urim të veçantë për punë të mbarë të gjithë ekipit, që do e kalojë natën e ndërrimit të viteve në krye të detyrës, në shërbim të pacientëve. Duke vlerësuar të gjithë ata që për shkak të profesionit, do e kalojnë këtë natë në detyrë, Presidenti Topi u drejtoi urimet më të mira, duke filluar nga mediat:
“Ndonëse ndodhemi në Qendrën Spitalore Universitare, dëshiroj t’ju falenderoj juve, misionarëve të mediave, që edhe pak orë nga ndërrimi i viteve jeni në punë. Jeni misionarë sepse përcillni në cdo familje të gjitha hallet, problemet, natyrisht edhe gëzimet. Sonte dëshiroj të jem pranë njerëzve të sëmurë. Këtë natë kur të gjithë festojnë në familje apo shoqëri, ka edhe njerëz që vuajnë, të sëmurët si dhe të tjerë që punojnë, e këta janë personeli mjekësor. Sonte jam shpirtërisht e fizikisht pranë tyre, për t’i inkurajuar në vullnetin e tyre për të dalë nga ajo gjendje, të falenderoj mjekët të cilët janë në misionin e tyre për t’u siguruar pacientëve një natë të qetë.
Meqënëse jemi në prag të ndërrimit të viteve, kam rastin që të falenderoj të gjithë ata që sonte janë në krye të detyrës, forcat e rendit, si dhe të gjithë ata që bëjnë të mundur, që njerëzit të festojnë të qetë e të sigurtë një natë e cila është tradicionale e sidomos familjare. Edhe njëherë nëpërmjet jush, dëshiroj t’i uroj të gjithë shqiptarët Gëzuar Vitin e Ri, pacin vetëm shëndet e suksese, e mos paçin halle!