Në pritje të vendimit për ish-krerët e UÇK-së, mijëra shqiptarë marshojnë në Hagë: Shpresojmë të kthehemi në Kosovë bashkë me ta

Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë të mërkurën, më 16 shtator, aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ndërsa tubimi paqësor në Hagë ka nisur, organizatorët e nismës “Liria ka emër” kanë njoftuar se në marshim pritet të marrin pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora.
Gazetarja e Radio Televizionit Shqiptar, Jonida Omeri, raportoi drejtpërdrejt nga Haga, ku pjesëmarrësit janë mbledhur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, një ditë para shpalljes së vendimit.
Në Hagë kanë mbërritur edhe qytetarë që kanë udhëtuar nga Kosova dhe vende të ndryshme të Europës për të marrë pjesë në tubim.
Një prej tyre tha për RTSH se ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe se ndodhet në Hagë për të mbështetur ish-komandantët.
“Vij nga Klina. Kam qenë ushtar bashkë me UÇK-në dhe jemi këtu për të përkrahur ish-komandantët dhe gjeneralët e UÇK-së. Ata janë liria jonë. Ne presim që ata të lirohen dhe shpresojmë që të kthehemi bashkë me ta në Kosovë. Ata janë çlirimtarët tanë. Ne kemi luftuar për lirinë tonë”, tha ai.
Edhe shqiptarët e ardhur nga diaspora shprehen shpresë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Unë vij nga Gjermania dhe shpresat janë të mëdha. Shpresojmë që të lirohen. Me shpirt e zemër jemi me ish-krerët e UÇK-së. Zemra jonë do që ata të dalin të pafajshëm dhe shpresojmë që nesër të shpallen të pafajshëm të gjithë”, tha ai.
Një tjetër pjesëmarrës tha se pret që vendimi i nesërm t’i japë fund një procesi të gjatë.
“Unë jam nga Malisheva dhe besoj se nesër do të kthehem në Kosovë bashkë me ish-krerët, Jakup Krasniqin e të tjerët. Shpresoj të dalin të pafajshëm”, tha ai.
Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka nisur në vitin 2023 dhe gjatë procesit janë dëgjuar rreth 130 dëshmitarë. Aktgjykimi përfundimtar pritet të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, në Hagë.
Pas shpalljes së vendimit, palët kanë të drejtë ta apelojnë atë, nëse pretendojnë se ka shkaqe ligjore për apelim.
Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës të Shqipërisë.
/rtsh.al/