Ne rrezik sistemi dy partiak grek

Konkretisht, sipas gazetës opozitare “Real Neës”, socialistët kanë mbështetjen vetëm të 23,2 % të grekëve dhe konservatorët të 21,3%, ndërkohë që 1 ndër 4 grekë është i pavendosur se cilën parti duhet të votojë nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve.
Në të njëjtin sondazh duket se vetëm një në katër grekë kanë mendim pozitiv për kryesocialistin Papandreu, por edhe për kryetarin e konservatorëve Samaras, ndërsa një ndër dy vetë mendojnë negativisht për të dy.
Kurse sondazhi i proqeveritares “Ethnos” u jep socialistëve 26,1% të votave dhe konservatorëve 21,5%, dhe këto shifra janë përqindjet më të ulëta që përqendrojnë këto dy parti qysh prej krijimit të tyre.
Sipas të njëjtit sondazh për herë të parë, në parlament mund të hyjnë tetë parti, nje fenomen pa precedent ky në jetën politike greke qysh pas clirimit të vendit.
Analistët e ndryshëm vlerësojnë se kemi të bëjmë me krizën më të madhe të besimit të qytetarëve ndaj klasës politike të vendit e cila akuzohet prej shumicës së popullit se është përgjegjëse që e ka cuar Greqinë në prag të falimentimit.