Në vend që të dënojë Berishën për kërcënimin, Topalli: Po kursej dënimin për Tahirin
Byroja e Kuvendit është mbledhur sot për të diskutuar disa çështje në rend dite. Një prej tyre ishte kërkesa e PS për të përjashtuar kryeministrin Sali Berisha 15 ditë për shkak të kërcënimeve me vdekje që i bëri deputetit Sajmir Tahiri. Por në vend të kësaj, ka rrezikuar të dënohet vetë Tahiri, që falë zemërgjerësisë së Topallit, ka shpëtuar.
Kërkesën e 9 deputetëve të PS, Byroja e hodhi poshtë si të pabazuar. Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare. Byroja i kërkoi Kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti si z. Tahiri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se “ajo gjithnjë ka qenë dhe do të jetë e kursyer ndaj deputetëve në masat e rregullores për ndëshkim, sidomos në këtë periudhë, kur deputetët duhet të diskutojnë me sens të lartë përgjegjësie dhe të etikës së komunikimit, veçanërisht në sallën e parlamentit, thuhet në një njoftim të Kuvendit.