E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna hodhi fëmijën e veten pas fejesës së ish-burrit

Gruaja që hodhi fëmijën nga kati i katërt e më pas gjeti vdekjen po nga vetëhedhja nga e njëjta lartësi e kishte paralajmëruar tragjedinë. Gazeta “Panorama”, shkruan sot se fqinj dhe të afërm të 31- vjeçares Elona Dhaskali janë shprehur për grupin e hetimit se ajo kishte pësuar tronditje psikologjike pasi ish-bashkëshorti i saj ishte fejuar rreth një javë më parë.

“Nuk kam për ta lejuar të jetojë i lumtur, përderisa as unë nuk jam e lumtur. Unë vijoj ta dua dhe nuk mund ta duroj këtë”. Kështu mësohet se është shprehur 31- vjeçarja te mikeshat e saj, duke paralajmëruar kështu tragjedinë e ndodhur. Por askush nuk kishte menduar se ajo do të arrinte deri në atë pikë, sa të hidhte fëmijën e saj nga rreth 12 metra lartësi.

Vogëlushja 6 vjeçe ndodhet ende në spitalin e Durrësit. Mjekët bënë të ditur se gjendja e saj është përmirësuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën, por as edhe ndonjë komplikacion për të ardhmen. Burime nga spitali bënë të ditur se 6- vjeçarja ka mundur të rrëfejë me pak fjalë gjithçka kishte ndodhur me të ëmën gjatë rrugës kur ajo po e çonte në kopsht. “Nuk doja të shkoja në kopsht, sepse po më dhembte barku. Ia thashë mamit këtë, por ajo u nervozua dhe më tërhoqi zvarrë”, është shprehur e mitura.

(Artikullin shoqeruar me deshmite e lexoni te plote ne numrin e sotem te gazetes Panorama)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›