E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna mohon braktisjen e fëmijëve, tre të miturit ndodhen në spital të infektuar me zgjebe

33-vjeçarja, Blerina Basha, që dyshohet se ka braktisur tre fëmijët e saj të mitur në një banesë në Durrës, në dëshminë që ka dhënë në polici, ka thënë se nuk bëhet fjalë për braktisje, por se  përkundrazi ka punuar me dy turne pasi nuk kishte asnjë mbështetje financiare.

 “Kam punuar me dy turne për të mbajtur fëmijët, sepse nuk kam pasur asnjë mbështetje familjare. Prindërit e mi jetojnë në Francë dhe nuk kam asnjë të afërm këtu që të më ndihmojë për kujdesin ndaj tyre. Në vitin 2025, ish-bashkëshorti më propozoi të bashkoheshim për të ikur në Itali. U bashkuam dhe ai u përgatiti dokumentet fëmijëve. Në shtator më tha se nuk do të qëndronte më në Itali dhe m’i la fëmijët mua.

Në nëntor vjet, shkolla më njoftoi se dy djemtë nuk po shkonin në shkollë, pasi nuk kisha mundësi t’i çoja çdo ditë. Në atë periudhë, fëmijët rezultuan edhe me zgjebe. U komunikova situatën dhe kërkova ndihmë nga bashkia, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve sociale që të merrnin masa për rastin tim”, tha ajo.

Sipas Blerinës, institucionet lokale nuk kanë ndërhyrë për ta ndihmuar.

“Bashkia nuk ka vepruar. Më thirrën në shkollë për mungesat e fëmijëve dhe u shpjegova se nuk kam mundësi të qëndroj e mbyllur në shtëpi me ta, pa punuar. U thashë se, nëse do të më ndihmonin konkretisht me shërbime sociale, do të qëndroja me fëmijët, por në kushtet kur nuk kishte ndihmë reale, isha e detyruar të punoja. Nuk qëndrova tek ish-bashkëshorti, sepse nuk mund të jetoj me një person nga i cili jam e ndarë. Ai më ka dhënë vetëm 180 mijë lekë të vjetra si ndihmë për tre fëmijët, një shumë që nuk më mjaftonte, ndaj nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të shkoja në punë”, tha 33-vjeçarja.

Rasti u bë publik pas një video të publikuar nga ish-vjehrra e Blerinës e cila tregon tre fëmijët e mitur të lënë vetëm në banesën ku jetonin në Durrës. Në pamje dëgjohet duke komentuar kushtet e banesës dhe duke vënë në dyshim kujdesin e nënës ndaj fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›