E Martë, 3 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja/ Prokuroria e Shqipërisë dhe e Kosovës me njësi të përbashkët hetimore

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, dhe ai i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, kanë nënshkruar këtë të martë (10 tetor) një marrëveshje me të cilën kanë formuar njësinë e përbashkët hetimore të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.

Sipas Prokurorisë, “qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mes dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit”.

Dy kryeprokurorët kanë vlerësuar si të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshje duke theksuar se “është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë”.

“Nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›