E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja, Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme


TIRANË, 15 janar/ATSH/ Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia bashkohen në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.

U nënshkrua sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Italisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.

Marrëveshja u nënshkrua nga Sultan Al Jaber, ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të UAE dhe kryetar i Masdar si dhe Gilberto Pichetto Fratin, ministër italian i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike.

Më herët, gjatë fjalës së tij në samit, Kryeministri tha se marrëveshja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100% energji të ripërtëritshme.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfqësues të qeverive të vendeve përkatëse

Marrëveshja u nënshkrua në Abu-Dabi, në kuadër të eventeve të Javës së Qëndrueshmërisë Abu-Dabi 2025 (Abu Dhabi Sustainability Week – ADSW).

ADSW është një platformë globale, e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe lideri i saj i energjisë së pastër, Masdar, për të adresuar sfidat më emergjente të qëndrueshmërisë në botë, përmes diskutimeve të përbashkëta mes vendeve, që përshpejtojnë zhvillimin e përgjegjshëm dhe nxisin përparimin gjithëpërfshirës ekonomik, social dhe mjedisor. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›