E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse Salianji përjashtohet nga PD, a do t’i bashkohet Partisë Mundësia? Kapri përgjigjet në “Quo Vadis”

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ftuar në “Quo Vadis”, ka përjashtuar mundësinë që Ervin Salianji t’i bashkohet formacionit politik ku ai bën pjesë, nëse përjashtohet nga PD-ja.

Kapri tha se ka pasur edhe në të shkuarën raste kur të larguar nga PD-ja kanë kërkuar t’i bashkohen Partisë Mundësia, por janë refuzuar.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Mendoni ju që ka dikush brenda PD-së peshën për të larguar Berishën? Nëse Salianji largohet nga PD-ja dhe formon një parti tjetër, sa e vështirë është të mbijetosh?

Kapri: Ndarja jonë me PD-në është rrënjësore. Jo thjesht besimi se ajo parti nuk mund të reformohet, por sepse u kthye në pengesë, si kundër drejtësisë dhe SPAK-ut. Qartësisht, ne sot jemi e vetmja parti pro SPAK-ut dhe me mbështetje pa kushte. Mendojmë se çdo pengesë ndaj SPAK-ut sot është vërtet shumë shqetësuese. Mbështetja ndaj SPAK-ut duhet të jetë pa kushte.

Borakaj: Ju nuk shihni marrëdhënie bashkëpunimi, nuk e keni të kushtëzuar vetëm me zotin Berisha?

Kapri: Ne nuk duam të merremi me PD-në. Gjithashtu, nuk duam të bëhemi opozitë e opozitës. Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë kur një kauzë ka vlerë. Ne ndjekim idenë që të bashkëpunojmë me një kandidat pa anëtarësi politike. Ne nuk mund të jemi strehë e të përjashtuarve nga PD-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›