E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse koalicioni prishet, duhet qeveri teknike

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli në një intervistë dhënë Kosovapress-it, ka paraparë që edhe ky vit do të jetë i vështir për Kosovën. Ai ka thënë se nuk është bërë asgjë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve. “Nuk është bërë asgjë në atë që Kosovës i nevojitet, nuk është bërë asgjë për rininë, nuk është bërë asgjë për përmirësimin e standardit jetësor qytetarëve dhe fati i qytetarëve do të jetë po ashtu si vitet e kaluara, duke pritur që dikush do t’i kthehet realitetit dhe do të punon për qytetarin e Kosovës”, ka thënë Pacolli, i bindur se qeveria duhet të kthehet kah qytetari.

“Kjo qeveri ka pas disa sfida, pak prej tyre janë kryer në një farë mënyrë, por ajo që i është premtuar qytetarit, atë që është dashur një qeveri dinjitoze t’i kryejë, nuk e ka kryer. Unë sot nuk besoj që kjo qeveri do të përmbush premtimet gjatë dy fazave zgjedhore në Kosovë. Qeverisë duhet t’i thuhet se qytetari i Kosovës është lodhur, duke shtrirë dorën, qytetari i Kosovës donë të jetojë në mënyrë dinjitoze, se qytetari i Kosovës donë të punojë dhe me kompensimin që i bëhet për punën e tij, donë të jetojë i sigurt. Këto premisa nuk janë përmbushur deri më tani”.

Në rast të prishjes së koalicionit PDK- LDK, Pacolli ka thënë se më shumë parapëlqen qeverinë teknike, se sa hyrjen në koalicion me PDK-në.

“Unë jam shpreh edhe njëherë, se nëse ky koalicion prishet, Kosova nuk mundet të shkojë menjëherë në zgjedhjet e parakohshme, se nuk mundemi në çdo tre muaj me mbajt zgjedhje, por duhet që të zgjidhet një qeveri teknike. Të merren njerëzit që nuk janë të involvuar në politikë ose në parti, dhe të zgjidhet një qeveri teknike e profesionistëve, e cila do të qon Kosovën deri te zgjedhjet e lira”.

Ai ka deklaruar se nuk pret zgjedhje parlamentare këtë vit, por shpreson se ato do të zhvillohen në prill të 2011.

“Unë nuk besoj se do të ketë këtë vit, por besoj që prilli i 2011-tës, të jetë muaji më i afërt ku do të ketë zgjedhje të lira. Nëse ndodh diçka në koalicionin qeveritar, atëherë Kosova duhet të jetë e denjë që të zgjedh qeverinë teknik që të qon Kosovën përpara deri atëherë”.

Lideri i AKR-së Pacolli ka kërkuar ndryshimin e legjislacionit zgjedhor, në mënyrë që Kosova të mos përballet me keqpërdorim votash.

“Unë jam për atë që çdo zonë e Kosovës të jetë e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze në Parlamentin e Kosovës. Nuk jam për atë që të privilegjohen vetëm kryetarët e partive. Do të thotë, nesër do të kemi 100 parti të regjistruara në Kosovë edhe kryetari i partisë kalon automatikisht e zgjodhi populli apo jo. Këtë e ka bërë dikush për interesa të veta, ne jemi parti liberale, ne jemi parti që mbështetemi në votën e qytetarit dhe qytetari është sovrani ynë. Prandaj kërkojmë që edhe sistemi, ligji zgjedhor të ndryshohet urgjentisht për të ardhmen”.

Pacolli është shprehur i pakënaqur edhe me trajtimin që ia ka bërë lideri i AAK-së Ramush Haradinaj. Ai i ka kërkuar Haradinajt, që të mos ia kthejë të mirën me të keqe.

“Ramush Haradinajn e kam ndihmuar pa limite që të kthehet këtu dhe prej njerëzve që i respektoj kam pritur një respekt. Ramush Haradinaj u lirua prej burgut, ka paguar Behgjet Pacolli, nuk e kam marr asnjë falënderim. Derisa një këngëtar ka kënduar atje në fushatë, ai e ka falënderuar me shkrim. E mira nuk ka nevojë të kthehet me të mirë, por mos të kthehet me të keq. Unë ju them sot se Ramush Haradinaj të mirën time e ka keqpërdor edhe prej njerëzve të tij është munduar të kthehet në mënyrë negative mua”.

Sipas Pacollit, njerëzit e Ramush Haradinajt po negociojnë me njerëzit e partisë së tij për kaluar në AAK. Pacolli në fokus të kritikës kishte Ardian Gjini. Ai ka kërkuar nga Gjini që të jetë i kujdesshëm se AKR-ja ka njerëz dinjitoz dhe nuk mund të manipulojë me ta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›