Nesër “Fitër Bajrami”, kreu i KMSH: Festa që na kujton vlerat më të larta njerëzore, moment reflektimi, solidariteti dhe bashkimi

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë urimet e tij me rastin e festës së Fitër Bajramit, e cila festohet ditën e nesërme (20 mars).
Në mesazhin e tij, Spahiu u ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë dhe mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen, duke përcjellë urime për paqe, shëndet dhe begati në familje dhe në shoqëri. Ai theksoi rëndësinë e kësaj feste si një moment reflektimi, solidariteti dhe bashkimi mes njerëzve.
Spahiu u ka bërë thirrje qytetarëve që të festojnë në paqe dhe me harmoni, duke ndarë gëzimin e kësaj dite të rëndësishme fetare.
“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire, falje dhe solidariteti. Nesër kemi festën e Fitër Bajramit. Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte udhëtim shpirtëror i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me zotin. Ne forcuam besimin dhe ndjenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin. Fiter Bajrami është festa që na kujton vlerat më të larta njerëzore, mëshirën, dashurinë, faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë”, tha Spahiu.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e nesërme në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë.
Programi i plotë i Fitër Bajramit:
06:00 – Hapja e programit
06:05 – Lexim Kur’ani nga imami i xhamisë “Et’hem Beu”, Elton Karaj
06:10 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:20 – Ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli
06:30 – Falja e namazit të Bajramit, prin faljen kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:35 – Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.
/rtsh.al/