E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nesër, Kuvendi Kombëtar i Rinisë Socialiste, Rama ndan mesazhin e dy të rinjve

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Në Pallatin e Kongreseve po bëhen përgatitjet e fundit, pasi siç është paralajmëruar edhe më herët nga kryeministri, njëherazi kryesocialisti Edi Rama, nesër pritet të zhvillohet aty Kuvendi Kombëtar i Rinisë Socialiste.

Kryeministri Rama ka postuar një video në rrjetet sociale, kur përpos mesazheve të dy të rinjve protagonistë në të, janë zbuluar edhe imazhe nga skena ku do të ngjiten 30 të rinj folës, ndërsa aktiviteti do të përmbyllet me fjalimin e kryeministrit Rama.

“Jemi në Pallatin e Kongreseve ku nesër do të zhvillohet Kongresi Kombëtar. Një superevent ku kryefjalë është rinia. Ja ky është vendi ku rinia do të thotë mendimin e saj: qartë dhe pastër. Këtu do të kemi 30 folës të rinj dhe në fund do të përmbyllet me fjalimin e Kryeministrit,” thonë dy të rinjtë.

Kryetari i PS, Rama ka shpërndarë videon në Facebook duke mbështetur mesazhet e të rinjve socialistë, ndërsa shprehet “Epo mirë, nesër, nesër!”.

Sipas videos, pritet që nesër salla të pushtohet nga të rinjtë e Partisë Socialiste, të cilët do të vijnë nga të gjitha qarqet, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim.

“Pas diskutimeve që janë bërë në të gjithë Shqipërinë, është momenti që rinia e Partisë Socialiste të mbushë sallën e Pallatit të Kongreseve plot,” thonë dy protagonistët e videos, ndërsa e mbyllin mesazhin e tyre me një thirrje për pjesëmarrje nesër në Kuvendin Kombëtar të rinisë socialiste, aty ku sipas tyre, zëri i të rinjve bëhet forcë për të ardhmen.

“E ardhmja i përket së majtës, së majtës moderne, së majtës rinore,” përfundon videoja.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›