Nesër në orën 14:00 thirrje për protestë para Ministrisë së Arsimit

Protesta do të vijojë nesër në 14.00 pata Ministrisë së Arsimit për të vijuar më pas tek Kryeministria. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje edhe demokratëve në mbështetje të studentëve.
Në një deklaratë për mediat, në orët e vona të natës, Berisha tha se deputetë të PD-së kanë ndjekur gjendjen e të plagosurve dhe se qarkullojnë edhe informacione të pakonfirmuara, të cilat, sipas tij, nuk do t’i bëjë publike pa u verifikuar.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Ervin Demos për dhunën ndaj protestuesve, duke pretenduar se ka të plagosur me fraktura në këmbë dhe dëmtime në kokë.
Berisha ftoi anëtarët dhe aktivistët e Partisë Demokratike, qytetarët, prindërit e studentëve dhe të rinjtë, pavarësisht bindjeve politike, që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për nesër.
“Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, për mbështetje. Ndaj dhe le të bashkohemi nesër studentë, prindër, të rinj, qytetarë”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar tubimin e nesërm si një ditë në mbështetje të kauzës studentore.
Ai u shpreh se pret që dhuna e raportuar gjatë protestës të dënohet nga të rinjtë universitarë dhe parauniversitarë, si edhe nga të rinjtë që janë në marrëdhënie pune.
“Nesër është dita e studentëve dhe e atyre që mbështesin kauzën studentore”, përfundoi Berisha, duke përsëritur thirrjen për t’u mbledhur në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.a.b