Netanyahu: Fitore historike kundër Iranit, i kemi dhënë goditje dërrmuese regjimit

“Ne kemi arritur një fitore historike” kundër Iranit, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu në një deklaratë publike ndërsa falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për “angazhimin në një mënyrë të paprecedentë për “rolin e tij në mbrojtjen e Izraelit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”.
Në një fjalim drejtuar kombit, Netanyahu tha se SHBA goditi Iranin në shenjë mbështetjeje për Izraelin.
“Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik si Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe unë e falënderoj shumë për punën tonë së bashku“, tha Netanyahu.
Ai tha gjithashtu se Izraeli kishte shkatërruar programin e prodhimit të raketave balistike të Iranit dhe shumicën e lëshuesve të tij.
“Izraeli gjithashtu i ka dhënë goditje dërrmuese regjimit”, tha ai, duke lavdëruar sulmin ndaj Iranit herët në mëngjes. Ai shtoi se Izraeli kishte shkaktuar “goditjen më të rëndë në historinë e regjimit”.
Një armëpushim është vendosur mes Izraelit dhe Iranit, me të dy vendet që pranojnë se është në fuqi. Kjo pason një ndërhyrje të zemëruar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili më herët akuzoi të dyja palët për shkelje të armëpushimit.
/rtsh.al/