E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nevoja për fëmijët me aftësi ndryshe në verë, Qendra e Shërbimit Social në Kukës qëndron hapur

Në përfundim të vitit shkollor, për shumë prindër të fëmijëve me aftësi ndryshe, vera nuk duhet të jetë pushim nga terapia dhe mbështetja profesionale.

Suada Halili, fizioterapiste pranë Qendrës Komunitare për Fëmijët me Aftësi Ndryshe, thotë se vijimi i terapisë gjatë verës është thelbësor për ruajtjen dhe përparimin e aftësive të fituara gjatë vitit.

Terapitë si logopedia, terapia okupacionale, fizioterapia apo terapia me psikolog janë procese afatgjata që kërkojnë vazhdimësi për të pasur efekt të qëndrueshëm. Tashmë prindërit në Kukës janë të ndërgjegjësuar lidhur me dërgimin e fëmijëve të tyre në terapi.

“Ndërgjegjësimi i prindërve ka ardhur drejt rritjes për shkak se kur e shikojnë që fëmija po merr terapi, që ka rezultate, është më i vetëdijshëm për ta sjellë këtu çdo ditë,” thotë fizioterapistja.

Përveçse ndihmon në ruajtjen e aftësive, terapia gjatë verës mund të ndihmojë fëmijët të përgatiten më mirë për fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas znj. Halili, gjatë dy muajve të verës, për të gjithë fëmijët me aftësi ndryshe rekomandohet që prindërit, në pamundësi për t’i dërguar në qendër, të zhvillojnë disa ushtrime në ambientet e shtëpisë, në konsultim me terapistët.

Në Qendrën Komunitare për Fëmijët me Aftësi Ndryshe marrin shërbim terapeutik mbi 55 fëmijë.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›