Nga Greqia në Cërrik, Baku: Investova në serra për tregun vendas dhe eksportin

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Florenc Baku nga Cërriku, është shembulli i shqiptarëve që e kanë kuptuar vlerën e tokës së tyre. Pas shumë vitesh jashtë vendit, ai është kthyer për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se “me 1 hektar serra dhe një sipërfaqe me drufrutorë, prodhon perime cilësore që shkojnë për eksport, duke i dhënë emrit “Made in Albania” një vlerë të re”.
Ajo tha se me mbështetjen e agronomëve të AREB-ve dhe përkushtimin e tij të palëkundur, Florenci është prova se përvoja me vizionin dhe politika, sjellin zhvillim të qëndrueshëm.
Florenci tregon se ka qenë në emigrim për 15 vjet në Greqi.
“Atje kam punuar në bujqësi dhe turizëm. Në 2019 vendosa të rikthehem në vendin tim dhe të investoj në tokën e prindërve të mi”, tha ai.
“Kam ndërtuar rreth 1 ha serra dhe këtë sezon kam mbjellë tre lloje të ndryshme të specit, prodhim të cilin e çoj për eksport. Ndërsa në 2 ha tokë kam ngritur një pemëtore me pjeshkë, që furnizoj tregun vendas”, u shpreh Florenci.
/r.e/