E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Kryeministria te sheshi “Skënderbej”, protesta e 13-të mbyllet me përplasje e molotovë

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Protesta e studentëve në ditën e 13-të ku sërish iu bashkuan qytetarë, por edhe të mitur të maskuar, është mbyllur pas rreth gjashtë orësh, me një itinerar nga Ministria e Arsimit, te godina e Kryeministrisë dhe në sheshin “Skënderbej”.

Gjatë qëndrimit në shesh disa protestues me maska kanë ndezur zjarr, ndërkohë që i kanë vënë flakën edhe një peme në lulishten pranë sheshit.

Ata kanë vendosur edhe gozhda për të çarë gomat e makinave të Policisë që mund të hynin  në shesh.

Protestuesit kanë qëlluar edhe me molotov forcat e policisë pranë sheshit “Skënderbej”.

Gjatë qëndrimit në bulevard, pjesëmarrës në protest sulmuan dhe thyen xhamat e Kryesisë së Kuvendit si dhe dëmtuan disa biznese në katin e parë të “Kullave Binjake”, përfshirë edhe një bankë të nivelit të dytë.

Gjithashtu, protestuesit e maskuar thyen me hekur ndriçuesit te Kryeministria, hodhën gurë e kapsolla drejt godinës së qeverisë si dhe ndaj efektivëve.

Pas thirrjeve të vazhdueshme për distancim nga akte të dhunshme, policia ndërhyri duke shpërndarë protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi se nga protesta e sotme katër persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore, mes të cilëve dy efektivë.

/k.s/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›