Nga Lamallari te Demo, zëvendëskryeministrja Koçiu e pranishme në ndërrimin e stafetës së drejtimit të Ministrisë së Brendshme

Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme është zhvilluar ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës, ku ish-ministri Besfort Lamallari i ka kaluar stafetën e drejtimit ministrit të ri, Ervin Demo. Në ceremoni me këtë rast u pranishme edhe Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
Përmes një reaksioni në rrjetet sociale, Koçiu e cilësoi këtë moment si nisjen e një kapitulli të ri, duke shprehur besimin te vizioni i ri drejtues.
“Me Ervinin dhe Besfortin, për të nisur një kapitull të ri në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por me të njëjtin vizion dhe angazhim për një Shqipëri më të sigurt, më moderne dhe më evropiane. Besimplotë se eksperienca e Ervin Demo do të jetë një vlerë e shtuar për të çuar përpara punët e mira dhe reformat, për të rritur sigurinë, garantuar rendin dhe ofruar shërbime më të mira.”, shkruan në rrjetet sociale Albana Koçiu, Zëvendëskryeministre.
Mesazhi i Lamallarit
Gjatë kalimit të detyrës, ish-ministri Besfort Lamallari i uroi suksese pasardhësit të tij, ndërsa vuri në dukje përvojën e tij në këtë dikaster.
“Krahas sfidave që ka përpara, është edhe mundësia për të vijuar transformimin e mëtejshëm, forcimin e sigurisë dhe ndërtimin e një policie gjithnjë e më profesionale dhe evropiane. Një falënderim i veçantë e me zemër për të gjithë stafin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilin kam pasur privilegjin të punoj e të bashkëpunoj gjatë këtyre 9 viteve. Stafeta ndryshon duar, por përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe puna për Shqipërinë evropiane vazhdojnë.”, thekson Besfort Lamallari, ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Demo: Përgjegjësi me përkushtim dhe vendosmëri
Nga ana e tij, Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe vlerësoi punën e paraardhësit të tij.
“Faleminderit Besfortit për punën dhe përkushtimin në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mirënjohje edhe për Zëvendëskryeministren për kalimin e stafetës dhe mbështetjen në nisjen e këtij kapitulli të ri. E marr këtë përgjegjësi me përkushtim dhe vendosmëri, për një Shqipëri më të sigurt, më moderne dhe më evropiane.”, u shpreh Demo.
/rtsh.al/