“Nga Parisi në Berlin”, tifozët kuqezi koreografi magjike në stadiumin e Dortmundit

DORTMUND, 15 qershor /ATSH-Gjergji Mima/ Muri i verdhë i stadiumit “Signal Iduna Park” të Dortmundit është shndërruar në një dallgë kuqezi mbrëmjen e sotme, ku kombëtarja shqiptare e futbollit luan ndaj Italisë, ndeshjen e parë në “EURO 2024”.
Ceremonia ehapjes dhuroi emocione të shumta me flamujt gjigand të Shqipërisë dhe Italisë që u valëvitën në fushën e blertë.
Tifozat kuqezi, që numërohen rreth 50 mijë në sfidën e sotme kanë dhuruar spektakël me flamuj, bluza, qeleshe, daulle etj duke fituar dukshëm sfidën mes dy tifozerive, ku italianët janë në minorancë.
Tifozët kuqezi dhuruan një koreografi magjike mbrëmjen e sotme, edhe teksa u luajtën himnet e të dy vendeve me ngjyrat kuq e zi që dominuan ngjyrat e kaltra të “Azurrëve”.
“Nga Parisi në Berlin” ishte mesazhi tifozave kuqezi.
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo dhe tekniku italian Luciano Spalletti kanë përzgjedhur formacionet titullare në ndeshjen e sotme.
Strakosha dhe Ajeti kanë fituar balotazhet me Berishën dhe Ismajlin, teksa sulmin do ta udhëheqë, Broja.
Tek Italia, Spalletti i ka besuar bllokut të Interit me 4 lojtarë zikaltër në formacion, teksa edhe Barella, që ishte në dyshim, do të luajë nga minuta e parë.
Kështu, Shqipëria do të luajë me: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Seferi, Broja
Ndërsa, Italia me Donnarumma; Di Lorenzo, Bastoni, Calafiori, Dimarco; Jorginho, Barella; Chiesa, Frattesi, Pellegrini; Scamacca.
Foto: Gjergji Mima