Nga Suedia me dashuri...
Albanologu suedez Ullmar Qvick, i ftuar ekskluziv nga Universiteti Europian i Tiranës për të mbajtur disa ligjërata me të rinj studentë, pedagogë, profesorë, e gjuhëtarë rreth marrëdhënieve suedezo-shqiptare, zbulon në një intervistë historinë e tij të gjatë e origjinale të një dashurie krejt të pazakontë me gjuhën, kulturën, traditën dhe...një grua shqiptare.
Z. Qvick, ju ktheheni në Shqipëri pas 16 vitesh. Si e pritët ftesën që Universiteti Europian ju bëri për të mbajtur dy ligjërata për studentët, rreth miqësisë shqiptaro-suedeze?
Kishte kaluar shumë kohë pa ardhur në Shqipëri dhe kur merr të tilla ftesa nxitesh. Jam shumë i kënaqur për pritjen që më ka bërë Universiteti Europian i Tiranës. Ende nuk e besoja që isha këtu dhe po ligjëroja për studentët shqiptarë.
Kam mendimet më të mira për universitetin: modern, bashkëkohor, i pajisur me teknologji, i kompjuterizuar, me një frymë europiane e me staf pedagogësh të nderuar. Më impresionuan edhe botimet e universitetit. Dua të them se ka plotësisht tiparet e një universiteti të vërtetë e serioz. Shoh potencial për zhvillimin e kontakteve me jashtë. Mund të krijohen bashkëpunime mes universitetit këtu dhe në Suedi. Në Universitetin e Upsalës kanë nisur kurset e para të gjuhës shqipe. Nëse studentët shqiptarë tregojnë më shumë interes për studimet në Suedi, do të kenë një lidhje të mirë me universitetin suedez.
Po Shqipëria, sa ju duket se ka ndryshuar prej 1994-ës, kur ju e keni vizituar për herë të fundit?
Shoh që ka bërë shumë përparime, është fshirë vula e primitivizmit nga shumë aspekte. Shoh ndërtesa të reja, zhvillim, kam pasur rastin të shëtis nëpër qytet dhe kam parë ndryshime. Megjithatë, mendoj se trafiku është një çështje ende problematike. Shqipëria ka shumë perspektivë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Keni një pozitë që me kalimin e kohës do të flasë në favorin tuaj, por kjo do të bëhet vetëm kur shteti shqiptar të krijojë një pozitë të fortë ekonomike, sepse ajo vendos respekt. Kur të fitoni më shumë fuqi ekonomike dhe një rrjet të gjerë komunikimi, kur të ketë përfunduar rivaliteti mes partive dhe të vendoset një rend politik për interesat e njerëzve, Shqipëria mund të shndërrohet në qendër për shumë fusha të jetës së njeriut.
Historia e lidhjes suaj me Shqipërinë është shumë interesante. E zbuluat përmes radios. Si qe ky impakt i parë?
Isha një djalë i ri, në vitin 1949, kur dëgjoja valët e Radio Tiranës. Ajo që më bëri përshtypje ishte tingëllimi i shqipes. Ka një tingull të bukur shqipja! Më pas nisa të dëgjoj Radio Shkodrën e Radio Kukësin, më pëlqenin shumë këngët shkodrane. Nisa korrespondencën me radion dhe ata më dërgonin programin. Megjithëse nuk i mora asnjëherë në kohë, nisa të kuptoja se çdo të thoshte: “Dëgjoni çdo ditë” apo “Lajme”. Më bëri përshtypje të mirë sepse ata ma dërguan. Duke dëgjuar emisionet mora një përshtypje të shqiptimit. Nuk është i vështirë krahasuar me gjuhët te tjera. Keni alfabet të përsosur nga Kongresi i Manastirit. Disa prej të folmeve të Shqipërisë së Veriut janë pak të vështira, përfshirë Kosovën. Në krijimet popullore parapëlqej gegnishten, se ka dinamizëm të veçantë, ndërsa toskërishtja ka qartësi të mirë dhe rregulla gramatikore më të fiksuara. Kjo lehtëson mësimin për të huajt.
Po më pas, ç’ju shtyu të vazhdonit të lexonit për Shqipërinë e shqiptarët?
Nisa të lexoj të gjitha botimet që munda të gjeja për shqiptarët. Më dërguan disa botime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Gjermania dhe kështu nisa të studioj edhe më shumë. Më pas mora libra me vlerë nga Shqipëria. Mund të them se edhe kur kisha bërë shkelje kundër regjimit socialist-kam pasur kontakte edhe me Ballin Kombëtar, por u tolerua nga regjimi në Shqipëri- edhe kur më kanë parë me dyshime, më kanë dërguar vepra me vlerë shkencore. Regjimi socialist është treguar korrekt me mua. E kanë ditur që kam bërë gabime, por e dinin se isha mik me shqiptarët. Kështu u pasurua shumë biblioteka ime me librat që mora nga institucione të ndryshme, nga Radio Tirana, Akademia e Shkencave dhe Komiteti për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme. Prof. Dr. Jup Kastrati në Shkodër më dërgoi një buletin shkencor që më ka ndihmuar shumë.
Po kontakti i parë fizik me Shqipërinë si ishte?
Kur erdha këtu, realiteti nuk ishte shumë i ndryshëm nga sa kisha lexuar. I njihja përmes librave disa vende. Bëra disa vizita, në një kopsht ku bisedova e këndova me fëmijët, me pëlqimin e drejtorit. Ndërsa në shkolla nuk pata mundësinë të hyja. Kam parë mjaft nga jeta e njerëzve të thjeshtë. Bëra edhe një udhëtim të jashtëligjshëm në Kavajë - duke qenë se kisha vizë grupi, nuk më lejohej të udhëtoja vetëm - më kapi policia, por u sollën korrekt.
Po në Suedi, si ju shihnin njerëzit kur tregonit kaq interes për Shqipërinë?
Në fillim menduan se isha i krisur. Pastaj kur nisa të shkruaj artikuj, u kënaqën. Ata që merreshin me radio u interesuan shumë për përjetimet e mia me Radio Tiranën, Kukësin e Shkodrën. Por, në fillim të viteve ’90 çështja mori tjetër dimension. Erdhën emigrantë nga Kosova dhe u ndje nevoja e menjëhershme për përkthyes. Më telefonuan nga Zyra e Emigrimit për të krijuar një grup përkthyesish. Zura një pozitë të mirë dhe me leverdi ekonomike. Nëse do e shihja kështu, mbjellja u bë në vitin 1969, ndërsa korrja në vitet ’90. Por, nga ana shpirtërore kam korrur gjithë kohës nga kontaktet me shqiptarët. Sepse interesimi ka shkaktuar miqësi, dashuri, mirëkuptim dhe në asnjë rast nuk kam pasur keqtrajtime nga ana e shqiptarëve. Përkundrazi, kam pasur raste prekëse.
Para disa kohësh disa shqiptarë që jetonin në Norvegji erdhën e më bënë një intervistë për një kanal televiziv. Kam përjetime të bukura edhe nga intervistat me radion e televizionin shqiptar, me dy radio lokale shqiptare në Australi, e-maile nga lexues që kanë lexuar librin tim në Zelandën e Re - dy ish anëtarë të Ballit Kombëtar. Me gjithë shpirt mund të them se kam marrë më shumë se kam dhënë.
Ju keni qenë për shumë vite në krye të shoqatës së miqësisë Suedi-Shqipëri. Si u krijua shoqata dhe si ratë në kontakt me një rrjet njerëzish që interesoheshin për Shqipërinë?
Shoqata u krijua më 1979-ën, e shtyrë më shumë nga arsye politike. Ndoshta unë isha i vetmi me arsye të tjera, më shumë kulturore. Megjithatë, edhe unë kam pasur simpati për regjimin, figurën e Enver Hoxhës. Kishin shumë iluzione atë kohë. Unë kam qenë në kryesi në vitet e para, por jetoja larg dhe e lashë rolin tim. Pati disa probleme me vijimësinë e shoqatës, por në vitin ’90 unë isha i vetmi që kisha pasur si simpati për regjimin, ashtu edhe me dyshime, dhe kisha mbajtur kontakte me njerëz jo komunistë. U bëra kryetar dhe e mbajta të gjallë për shumë vite, derisa u shndërrua në një komunitet në internet. Por tani ka humbur rëndësinë, sepse i mbajmë kontaktet me anë të Facebook-ut. Kemi krijuar një grup për marrëdhëniet Kosovë-Suedi, sepse kemi shumë kosovarë. Ekziston edhe shoqata e rinisë shqiptare me pjesëmarrje nga të rinj nga Kosova, Shqipëria Maqedonia.
Ju jeni edhe përkthyes i disa veprave në shqip. Po këto kohë me çfarë po merreni?
“3 poetë shqiptarë” është një prej librave që do të dalë në ribotim me poezi nga Ismail Kadare, Frederik Reshpja dhe Ali Podrimja. Projekti tjetër që kemi edhe me insistimin e Shefki Osekut, është Antologjia e poezisë suedeze në shqip, me autorë modernë. Doja të sillja diçka me vlerë nga suedishtja, sepse poezia ka vlerë të madhe emocionale. Kam botuar edhe Antologjinë e poezisë shqipe me autorë shqiptarë e kosovarë nga: Fishta, Mjeda, Migjeni, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Kadare, Ali Pordrimja, Din Mehmeti etj. Kjo përzgjedhje është bërë në mënyrë egoiste. Kam përkthyer çfarë më ka pëlqyer mua. Por më vjen mirë se kjo antologji përmendet në Enciklopedinë më të madhe në Suedi.
Gruaja juaj është shqiptare nga Kosova. A mos ndoshta kjo martesë ju bën më shumë shqiptar nga sa e kishit menduar?
Ndoshta! Ne u takuam në javën e kulturës shqiptare në Suedi. Mbajta fjalimin tim me fotografi diapozitive dhe pastaj thashë nëse kishte pyetje nga të pranishmit. Një grua nga fundi më pyeti: “Si jeni bërë albanolog? Si mund të bëhet një person albanolog?”. Nuk e dëgjova mirë pyetjen, por thashë: “Ua, sa e bukur!” Tamam si vajzat në Shqipni. Tipike shqiptare. Tri ditë më vonë u takuam sërish dhe tani kemi 15 vjet bashkë. Kemi edhe një vajzë. Ime shoqe thotë se Zoti vendosi që Ullmari të interesohej për shqiptarët vetëm që të bashkohej me mua.