Nga Tirana, Zelensky, Macron, Merz, Starmer dhe Tusk, telefonatë me presidentin amerikan Trump për bisedimet Rusi-Ukrainë

Nga Tirana, ku po marrin pjesë në samitit të Komunitetit Politik Evropian, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer dhe kryeministri polak, Donald Tusk, kanë zhvilluar një telefonatë me presidentin amerikan, Donald Trump të premten, sipas presidencës ukrainase.
Bisedimet Rusi-Ukrainë në Stamboll ishin tema kryesore e bisedës, tha një zëdhënës i Zelensky për CNN.
Ndërkaq kanë dalë më shumë detaje për telefonatën midis Presidentit të SHBA-së, Donald Tump, Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe disa prej udhëheqësve evropianë, që u zhvillua nga Tirana.
Pas telefonatës, Zelensky deklaroi sërish se “presioni mbi Rusinë duhet të vazhdojë”, duke thënë se ai bisedoi me Trump së bashku me udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë mes pauzës së një takimi evropian në Shqipëri.
“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë. Është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale pas telefonatës.
“Pozicioni ynë – nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe një fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione më të ashpra. Presioni mbi Rusinë duhet të vazhdojë derisa Rusia të jetë gati t’i japë fund luftës. Faleminderit të gjithëve në botë që po na ndihmojnë.”
Udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, e quajnë qëndrimin e Rusisë në negociata “të papranueshëm”
Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë nga Tirana ku po marrin pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, thanë se qëndrimi i Rusisë në bisedimet e saj me Ukrainën të premten ishte “i papranueshëm”, pas një bisede telefonike me Presidentin Donald Trump.
Kryeministri britanik Keir Starmer, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe udhëheqësin polka, Donald Tusk, thanë në një deklaratë të premten se “qëndrimi rus është qartësisht i papranueshëm dhe kjo jo për herë të parë”, sipas Reuters.
Të katër udhëheqësit po flisnin në margjinat e një takimi evropian në Tiranë, ku atyre iu bashkua edhe udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe zhvilluan një telefonatë në grup me Presidentin Trump.
“Si rezultat i atij takimi me Presidentin Zelensky dhe pas diskutimit me Presidentin Trump, ne tani po i koordinojmë dhe po i përafrojmë më nga afër përgjigjet tona. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Starmer, sipas Reuters.
/rtsh.al/