E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga emigrimi, kultivues i bimëve mjekësore. Fermeri që zgjodhi të investojë në vendlindje

Pas disa vitesh emigrim, Ervis Serti nga fshati Sul i Devollit vendosi të kthehej në vendlindje dhe t’i përkushtohej bujqësisë. Prej rreth 15 vitesh ai merret me kultivimin dhe prodhimin e bimëve aromatike dhe mjekësore, një sektor që sipas tij i ka siguruar të ardhura të kënaqshme dhe perspektivë për të ardhmen.

“Kam 15 vjet. Më lindi si ide dhe u ktheva nga Greqia dhe fillova t’i kultivoja bimët medicinale. Këto vitet e fundit ka shkuar shumë mirë”, shprehet ai.

Ai kultivon disa lloje bimësh  dhe shprehet i kënaqur me të ardhurat që siguron nga bimët aromatike dhe mjekësore, duke e konsideruar këtë sektor si një mundësi të mirë për zhvillimin e aktivitetit bujqësor.

“Kam tërfilin e kuq 2 hektar, shtogun 1 hektar e gjysmë, çajin 2 hektar. Këto bimë kultivojnë për momentin. Për momentin po mbledhim cianin dhe tërfilin e kuq”, thotë Serti.

Por krahas kërkesës dhe të ardhurave, një nga vështirësitë kryesore mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Mbledhja dhe përpunimi i bimëve kërkojnë angazhim të madh manual, ndërsa gjetja e punëtorëve gjatë sezonit vijon të jetë një sfidë për fermerët.

“Mungesa e fuqisë punëtore është problem, me sakrifica të mëdha vazhdojmë t’i mbledhim punëtorët edhe të vazhdojmë aktivitetin tonë”, thekson ai.

Pavarësisht kësaj problematike, Serti vijon aktivitetin e tij në Devoll, duke dëshmuar se kthimi nga emigrimi dhe investimi në sektorin e bimëve aromatike e mjekësore mund të jetë një alternativë e qëndrueshme ekonomike për familjet në zonat rurale.

Gazetare: G. Manushi    

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›