E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga flakët te përmbytjet: 11 zjarre brenda ditës, probleme nga reshjet në Elbasan

11 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në vend, ndërsa 3 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 2 vatra janë nën mbikëqyrje, ndërsa 6 janë shuar plotësisht.

Në terren janë angazhuar 119 forca operacionale vendore dhe lokale, 12 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.

Vatrat aktive janë në Gallatë të Kurbinit, ku zjarri vijon në shkurre dhe pisha, por nuk rrezikon zonat e banuara; në Librazhd Katund, ku po ndërhyjnë forcat e MZSH-së; si dhe në Bularat të Dropullit, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake dhe të Forcave të Armatosura.

Edhe në këto zona nuk raportohen banesa në rrezik.

Ndërkohë, në qarkun Dibër, zjarri në Lundre-Madhesh është shuar. Vatrat në Cerrujë, Mali i Allushit dhe Selishtë janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për banesat.

Në qarkun Fier, zjarret në Bitaj të Lushnjës dhe Rërës të Patosit janë shuar plotësisht.

Reshjet shkaktojnë probleme në Elbasan

Krahas situatës me zjarret, reshjet e dendura kanë sjellë probleme në Elbasan. Gjatë ditës janë regjistruar rreth 55 mm reshje shiu, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në Bulevardin kryesor dhe në Urën e Shkumbinit.

Gjithashtu, disa banesa dhe biznese janë përmbytur në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë Lagjen “5 Maji” dhe zonën e ish-NSHU-së.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Forcat në terren mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›