Nga kamerat te ChatGPT/ Shkolla e 2026 i hap dyert Inteligjencës Artificiale dhe nxit fëmijët drejt artit dhe zejeve, drejtoresha e ZVA Tiranë zbulon risitë

Zyra Vendore e Arsimit Tiranë ka përfunduar të gjitha përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor më 14 shtator, një proces që përfshin rreth 139 shkolla të arsimit publik dhe 80 shkolla të arsimit jopublik. Në një intervistë për emisionin “Në radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, drejtoresha e ZVA Tiranë, Ermira Milori, bëri me dije se rreth 80 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës këtë vit, ndërsa prezantoi një sërë risish që prekin infrastrukturën, sigurinë dhe procesin mësimor.
Një nga zhvillimet kryesore për këtë vit shkollor është zbatimi i programit “Pas shkolle”, i cili do të përfshijë 85 institucione publike në kryeqytet, duke nisur nga Arsimi Fillor, Klasat 6-9 dhe Arsimi i Mesëm i Lartë. Milori sqaroi se ky program ka rritur interesin e prindërve për arsimin publik, ku rreth 700 nxënës janë transferuar nga shkollat jopublike drejt atyre publike vetëm për të përfituar nga kjo mundësi. “Nëpërmjet kësaj nisme, nxënësit jo vetëm që do të përgatitin detyrat e shtëpisë për ditën e nesërme, por do të angazhohen edhe në aktivitete kreative përmes klubeve “Art dhe zeje”, si ato të muzikës, teatrit dhe kërcimit”. Këto aktivitete interaktive do të drejtohen nga mësues të arteve ose specialistë të fushës, si aktorë, kërcimtarë e instrumentistë në pension, të cilët po atashohen pranë shkollave përmes thirrjes së hapur nga Ministria e Arsimit. “Sa i përket orareve, fëmijët e klasave të para dhe të dyta që mbarojnë mësimin në 11:30 do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 14:00, ndërsa ata që përfundojnë në orën 12:30 ose 13:10 do të mund të qëndrojnë deri në orën 15:00”.
Përveç mbështetjes me libra falas për të gjithë arsimin 9-vjeçar, këtë vit nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të marrin për herë të parë tekste plotësisht të reja.
Gjithashtu, kryeqytetit i shtohen edhe shtatë shkolla të reja me hapësira të bollshme, terrene sportive dhe standarde europiane, nga të cilat gjashtë do të hapin dyert menjëherë më 14 shtator.
Siguria në shkolla mbetet një tjetër prioritet i këtij viti. Milori bëri me dije se në 20 shkolla të Tiranës janë integruar kamera inteligjente. “Këto pajisje nuk janë vendosur nëpër klasa, por vetëm në hapësirat e përbashkëta të shkollave dhe janë të lidhura me sistemin qëndror. Roli i tyre është të detektojnë dhe të sinjalizojnë rreziqet e mundshme në kohë reale në serverin qëndror, duke mundësuar kështu ndërhyrjen e menjëhershme”.
Procesi mësimor po përqafon teknologjinë moderne përmes një udhëzuesi të ri të nxjerrë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale. “Mësuesit kanë nisur trajnimet për të orientuar nxënësit se si të përdorin platformat si ChatGPT apo Gemini në mënyrë të kontrolluar për bërjen e detyrave dhe përvetësimin e dijeve të qëndrueshme”.
Meqenëse përdorimi i celularëve nga nxënësit mbetet i ndaluar në shkolla, integrimi i teknologjisë do të bëhet tërësisht nën kontrollin e mësuesve përmes laboratorëve të zgjuar (SmartLab), me synim ruajtjen e një balance të shëndetshme mes teknologjisë dhe arsimimit tradicional.
Më 14 shtator, dita e parë e shkollës nuk do të nisë me ngarkesë mësimore apo detyra shtëpie. “Sipas udhëzimit të ri, ajo do të jetë një ditë mikpritjeje, ku nxënësit do të kenë mundësi të njihen me mjediset e shkollës dhe programin që do të ndjekin përgjatë gjithë vitit shkollor”.
/rtsh.al/