Nga mbyllja e bazave amerikane në rajon te marrëveshja për Hormuzin, 6 kushtet e Iranit për t’i dhënë fund luftës

Teherani ka paraqitur gjashtë kushte për t’i dhënë fund tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa Presidenti Donald Trump bëri thirrje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orëve, përndryshe SHBA-të do të sulmojnë termocentralet iraniane.
Përgjigja e ushtrisë së Teheranit ka qenë e prerë: “Ne do të godasim infrastrukturën energjetike dhe të IT-së të Shteteve të Bashkuara”, tha një zëdhënës ushtarak për agjencinë Fars. Ali Mousavi, përfaqësuesi i Iranit në OKB, shtoi: “Ngushtica është e mbyllur vetëm për armiqtë tanë”.
Sipas agjencisë Tasnim, degë e IRGC-së, gjashtë kushtet e Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit përfshijnë:
- sigurinë që konflikti të mos përsëritet,
- mbylljen e bazave amerikane në rajon,
- pagesa e kompensimeve për Iranin,
- përfundimin e operacioneve kundër grupeve rajonale të lidhura me Teheranin,
- zbatimin e një regjimi të ri ligjor për Ngushticën e Hormuzit,
- ndjekjen penale të punonjësve të mediave anti-iraniane.