E Premte, 6 Nëntor 2026

Nga ndryshimi i ambasadorëve tek mbledhja e Sigurisë Kombëtare/ Rama zbardh detajet, çfarë diskutoi me Begajn në Presidencë

Kryeministri Rama ka zhvilluar takimin e parë për këtë vit me Presidentin e Republikës Bajram Begaj.

Takimi ka zgjatur rreth 80 minuta dhe vetë shefi i qeverisë ka sqaruar në rrjetet sociale se ka diskutuar me kryetarin e shtetit për mbledhjen e këshillit të sigurisë kombëtare dhe lëvizjet e ambasadorëve.

Mësohet se janë dy kategori diplomatësh që do të lëvizin; e para janë ambasadorët të cilët kanë mbushur moshën e pensionit dhe e dyta ata që e kanë përfunduar mandatin.

Ndër ambasadorët që do të lëvizin janë; Visho Ajazi ambasadori ynë në NATO, Roland Bimo ambasadori ynë në Vienë dhe diplomati shqiptar në Serbi Ilir Bocka.

Përtej këtyre, çështja më e rëndësishme mbetet marrëveshja me greqinë për përcaktimin e kufirit detar. Para se të shkojë në gjykatën e Hagës qeveria shqiptare duhet të marrë plotfuqinë nga presidenti i republikës Bajram Begaj.

“Takimi i fillimvitit me kryetarin e shtetit për ta informuar mbi çështjet kryesore të këtij viti qeverisës, si edhe për të përgatitur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ndryshimet e ambasadorëve në misionet tona diplomatike”, shkruan Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›