Nga pastrimi i rrugëve tek shpërndarja e ushqimeve, Dredha ndan pamjet e punës pas përmbytjeve në Vlorë

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Në qytetin e Vlorës, vijon puna, për të kthyer normalitetin në çdo zonë të qytetit, pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut, gjatë ditës së premte.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau në rrjete sociale momente nga puna që po vijojnë ekipet e bashkisë bashkë me komunitetet e banorëve, për pastrimin e rrugëve nga balta dhe inertet që u shkaktuan nga reshjet e dendura.
“Jemi në terren dhe do të vazhdojmë pa pushim, derisa çdo problem të marrë zgjidhje”, tha Dredha.
Ai deklaroi angazhimin për t’iu gjendur pranë çdo qytetari në nevojë përballë situatës së krijuar.
“Së bashku me ekipin e përkushtuar të vullnetarëve të Kryqit të Kuq, po punojmë për t’i ardhur në ndihmë banorëve që kanë nevojë për ndihma”, tha ai.
1 nga 16