E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga sot, pensioni bazë në Kosovë bëhet 150 euro

Nga sot, pensionistët në Kosovë do të marrin pensione më të larta, pasi Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se rritja e re hyn në fuqi menjëherë me procesimin e pagesave të këtij muaji.

Sipas tij, kjo është rritja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga një qeveri në vend.

Murati ka bërë të ditur se Pensioni bazë, i cili në fillim të mandatit të Qeverisë Kurti ishte 90 euro, tashmë është rritur në 150 euro në muaj, që nënkupton një ngritje prej 60 euro, ose 67% përgjatë këtij mandati qeverisës.

“Pensioni Bazik që e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje në 150 euro/muaj. Pra, 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%. Qeveria për pensionistët”, ka deklaruar ministri në detyrë, duke e paraqitur këtë vendim si një prej arritjeve kryesore të Qeverisë Kurti në prag të zgjedhjeve.

Sipas tij, rritje të konsiderueshme do të kenë edhe kategori të tjera të ndjeshme të shoqërisë. Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat më herët ishin 75 euro, nga sot bëhen 150 euro/muaj, një rritje prej 100% brenda mandatit.

Përveç këtyre, është bërë e ditur se është rritur edhe mbështetja financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërsa është rritur edhe pensioni invalidor dhe pensioni familjar.

Rritja e pensioneve pritet të prekë dhjetëra mijëra qytetarë, për të cilët shtesa prej këtij muaji paraqet një ndihmë të konsiderueshme në përballimin e kostos së jetesës, e cila vazhdon të mbetet e lartë në vend.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›