E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga studentët te turistët, Biblioteka Kombëtare, një hapësirë që frymëzon çdo brez

Pavarësisht zhvillimeve teknologjike, rrjeteve sociale apo aksesit të gjerë në informacionin online, numri i atyre që frekuentojnë Bibliotekën Kombëtare në Qendrën “Sotir Kolea” është në rritje edhe në këto ditë me temperatura të larta.

Një dëshmi kjo se dashuria për librin dhe nevoja për një ambient të qetë nuk janë zëvendësuar.

“Gjatë sezonit veror dhe këtë e themi me shumë kënaqësi, Qendrën Sotir Kolea më së shumti e vizitojnë të rinjtë edhe fëmijët. Kjo sepse, për shkak të programeve të shkollave verore, fëmijët edhe të rinjtë vijnë për të vizituar jo vetëm ambientet, për të parë koleksionet, por dhe për t’u njohur nga afër me disa prej proceseve të punës në Bibliotekën Kombëtare, siç është edhe laboratori i restaurimit të librave në Qendrën Sotir Kolea.”

“Fëmijët kanë një interes të veçantë në atë që përbën literaturën klasike. Në secilën prej sallave ne përpiqemi që të nxjerrim disa nga literaturat më përfaqësuese, që ata të njihen me historikun edhe me llojin e botimit.”

Një kategori e veçantë që frekuenton Qendrën Sotir Kolea janë edhe turistët të cilët vizitojnë Tiranën.

Materialet që ata kërkojnë kryesisht kanë të bëjnë me studimet albanologjike për të njohur më shumë Shqipërinë.

“Turistët përbëjnë një kategori interesante vizitorësh në Qendrën Sotir Kolea. Ata kanë një interes të shtuar për librat me karakter albanologjik, për materialet qofshin libra, qofshin harta, qofshin dorëshkrime. E shohin Qendrën Sotir Kolea si një mundësi të mirë për t’u njohur me aspektin kulturor, për t’u njohur me kulturën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve përmes librit.”

Me gjithë ndryshimet në trende apo shitje, libri duket se vijon të mbetet një nga shoqëruesit më të mirë të çdo kohe.

/rtsh.al/

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›