Nga tradita te sipërmarrja, Laureta sjell identitet të fortë lokal me sapunin “Zadrima” në Fishtë

TIRANË, prill / ATSH- Etleva Xhajanka/ Në Fishtë të Lezhës, një nga zonat më të njohura për agroturizëm dhe traditë, Laureta Lemezhi po zhvillon me sukses një tjetër formë artizanati: prodhimin e sapunit “Zadrima”, që ruan identitetin lokal dhe përdor përbërës natyralë të zonës.
Kombinimi i njohurive tradicionale me përvojën bashkëkohore ka krijuar një produkt me identitet të fortë lokal dhe standarde moderne prodhimi që po gjen treg edhe jashtë vendit.
Sot, produktet e saj të sapunit natyral tërheqin vizitorë në agroturizme dhe po gjejnë gjithnjë e më shumë rrugën drejt tregjeve ndërkombëtare, duke u kthyer në një shembull të sipërmarrjes së qëndrueshme me vlerë eksporti dhe potencial rritjeje.
Laureta e cila drejton këtë punishte, tregon se gjithçka nisi në vitin 2014, falë një trajnimi të organizuar nga misioni katolik për gratë e zonës. Fillimisht morën pjesë pesë gra, por me kalimin e kohës, vetëm ajo vendosi ta vijojë këtë rrugëtim.
“Refuzova të emigroja. Për mua ishte një mundësi për të mësuar diçka të re. Fillimi ishte i vështirë, pasi kisha familjen dhe fëmijët e vegjël, por me përkushtim arrita ta përfundoj trajnimin dhe të nis punën time”, tregon Laureta për ATSH-në.
Ajo shpjegon se prodhimi i sapunit nuk është diçka e re për zonën. Fishta ka një traditë të hershme në këtë drejtim, falë prodhimit të vajit të ullirit, bimëve medicinale dhe produkteve të bletarisë. Dikur, familjet e prodhonin vetë sapunin në kushte artizanale, ndërsa sot kjo traditë është zhvilluar duke u përshtatur me kërkesat moderne.
“Sot kemi një ndërthurje mes tradicionales dhe bashkëkohores. Përdorim vaj ulliri cilësor, vaj kokosi dhe bimë aromatike, që i japin sapunit vlera dhe aromë të veçantë”, shprehet ajo.
Lëndën e parë, Laureta e siguron kryesisht nga zona: vajin e ullirit nga fermerët vendas, bimët medicinale nga banorët që i mbledhin në kodrat përreth, ndërsa produktet e bletës nga familja e saj.
Ajo tregon se nuk e kishte menduar kurrë se do të drejtonte një biznes të sajin, por sot ia ka dalë të krijojë një sipërmarrje të qëndrueshme. Fillimisht, shitjet i ka bërë duke trokitur derë më derë dhe duke kontaktuar dyqane në qytete turistike si Vlora, Berati dhe Kruja.
Një mbështetje e rëndësishme për zhvillimin e biznesit kanë qenë agroturizmet e zonës së Fishtës, të cilat kanë sjellë një fluks të madh turistësh.
“Turistët vijnë, shohin produktet dhe shpesh bëjnë porosi. Sot kemi arritur të shesim edhe përmes postës, brenda dhe jashtë vendit”, thotë ajo.
Aktualisht, punishtja prodhon disa lloje sapunësh, kremra kurativë dhe vajra natyralë nga bimët medicinale. Ndër më të kërkuarit janë sapunët me rozmarinë, me esenca natyrale dhe produkte me veti kurative.
Përveç cilësisë, Laureta ka investuar edhe në paketimin e produkteve, duke i bërë ato më tërheqëse për konsumatorët dhe turistët.
Historia e saj është një shembull i qartë se si tradita, kur kombinohet me përkushtim dhe mbështetje, mund të kthehet në një biznes të suksesshëm dhe një burim të qëndrueshëm të ardhurash për familjen. /j.p/
Sipërmarrësja e sapunit artizanal në Fishtë Laureta Lemezhi, foto: Andrin Hoxha 1 nga 7