Ngecin ndryshimet kushtetuese, komisioni nuk është mbledhur

Komisioni për ndryshime kushtetuese, pati njoftuar se pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, pritet të finalizohet pjesa e ndryshimeve kushtetuese ku flitet për zgjedhjen e presidentit, me qëllim që kjo çështje të procedohet në Kuvend për miratim.
Megjithëkëtë Komisioni ende nuk është mbledhur, ka bërë të ditur kryetari i këtij Komisioni Arsim Bajrami, përmes postës elektronike. Në anën tjetër procesi i mos përkrahjes po vazhdon nga LDK-ja.
Vjosa Osmani, e cila ka qenë anëtare e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, ka thënë se LDK-ja nuk është bërë pengesë e procesit, por vetëm kërkon zbatim të marrëveshjes politike për zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga.
“Tani nuk priten lëvizje nga LDK-ja, sepse LDK i ka bërë të gjitha lëvizjet që kërkohen nga ajo sipas marrëveshjes. Tani lëvizje kërkohen nga kryeministri Thaçi dhe natyrisht nga presidentja që duhet të lëshojë rrugën për president të zgjedhur nga vota e popullit”, theksoi ajo, për Radio Kosovën.
Ndërsa,Glauk Konjufca nga Vetëvendosje theksoi se Vetëvendosja që nga fillimi e ka konsideruar marrëveshjen për zgjedhjen e presidentes, të pa bazë ligjore dhe kushtetuese.
“Presidentja është zgjedh ashtu siç është zgjedh dhe tash nuk mund të bëhen pazare politike të reja mbi shkarkimin e saj. Ne që në fillim e kemi ditur se ajo është një marrëveshje pa ndonjë bazë ligjore, pa bazë kushtetuese, që t’i shkurtohet mandati dhe të vendoset një presidente me pazare politike”, tha Konjufca.
Ndërkohë, nga AAK-ja thonë se ata nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes, por ndryshimet kushtetuese duhet bërë për shkak të proceseve në Kosovë, e jo për hir të marrëveshjes ndërmjet tre liderëve politik. Ndryshe marrëveshja ndërmjet tre liderëve politik parashihte që pas reformave kushtetuese, vendi të shkonte në zgjedhje presidenciale diku në fund të këtij viti. /rtk/