E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngërçi i pagave, Apeli GJKKO padit Ministrinë e Financave

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka reaguar ndaj bllokimit të pagave të magjistratëve, duke depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë kundër Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë.

Në dokumentin e padisë, Apeli i GJKKO kundërshton veprimet e Ministrisë së Financave dhe Thesarit, të cilat, sipas saj, kanë sjellë mosprocedimin e dokumentacionit dhe për pasojë mosrealizimin e pagesave për gjyqtarët dhe administratën e gjykatës.

Gjykata argumenton se çështja nuk është thjesht një mosmarrëveshje për mënyrën e përllogaritjes së pagave, por lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Sipas saj, pagat e magjistratëve janë përcaktuar në bazë të vendimeve dhe akteve të organeve kompetente dhe nuk mund të pengohen përmes një kontrolli financiar që do të sillte bllokimin e tyre.

Apeli i GJKKO kërkon gjithashtu marrjen e një mase të përkohshme nga Gjykata Administrative, me qëllim që të ndalen efektet e veprimeve të Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë deri në përfundimin e gjykimit. Gjykata vlerëson se vazhdimi i bllokimit të pagesave mund të shkaktojë pasoja të rënda dhe të vështira për t’u korrigjuar më vonë.

Në arsyetimin e saj, Apeli i GJKKO thekson se kontrolli financiar i shpenzimeve publike është i ligjshëm dhe i nevojshëm, por nuk mund të përdoret për të pezulluar apo vënë në dyshim zbatimin e vendimeve të organeve të pushtetit gjyqësor. Sipas Gjykatës, një ndërhyrje e tillë do të cenonte raportin kushtetues mes pushteteve.

Gjykata i referohet edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, si dhe akteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke argumentuar se këto vendime duhet të zbatohen dhe të prodhojnë efektet e tyre financiare.

Në thelb, Apeli i GJKKO kërkon që pagat e magjistratëve dhe administratës gjyqësore të mos mbeten të bllokuara gjatë kohës që çështja shqyrtohet në gjykatë. Sipas saj, garantimi i pagesës është pjesë e rëndësishme e pavarësisë së gjyqësorit dhe i funksionimit normal të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Për të njëjtën çështje, të enjten (10 shtator) drejtues të gjykatave të të gjitha niveleve, organizatat e gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve depozituan një kallëzim penal në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë, Gentian Këri, si dhe 14  përgjegjësve të Degëve të Thesarit në rrethe.

Ndërkohë, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, gjyqtarët kërkuan zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe zhbllokimin e pagave, duke paralajmëruar përshkallëzim të masave nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë.

Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan pagën referuese, por Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar listëpagesat e përllogaritura me rritje, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Për pasojë, pagat e muajit gusht vijojnë të mbeten të bllokuara për gjyqtarët, prokurorët dhe administratën e gjykatave e prokurorive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›