E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarja në berberhane- Shpallen në kërkim 4 persona të maskuar si policë, mes tyre dhe objektivi Merando Nikulaj

“Mos lëvizni, policia!” 7 personat të cilët hynë mbrëmjen e së dielës brenda berberhanes në fshatin Rrilë të Lezhës, nga ku mbeti i plagosur Sokol Daci, janë prezantuar si policë.

Të kamufluar dhe me kapuç në kokë, 5 prej tyre ishin të armatosur me armë zjarri automatike, ndërsa 2 të tjerët mbanin shkopinj bejsbolli.

Bazuar në të dhënat hetimore dhe pamjet e kamerave të sigurisë dyshohet se autorët kishin për qëllim dhunimin e 21-vjeçarit Merando Nikulaj, me të cilin kishin pasur konflikt disa muaj më parë.

Por, sapo kanë hyrë në ambientin e berberhanes, ku Nikulaj ndodhej, janë përballur me të shtëna me armë zjarri.

Sipas të dhënave drejt tyre ka qëlluar efektivi i policisë Besart Kovaci, i arrestuar tashmë për shpërdorim detyre, si dhe nipi i Ardian Nikulaj.

Në këto momente, një nga 7 personat që hynë në berberhane iu përgjigj me breshëri automatiku, ku nga të shtënat mbeti i plagosur berberi Sokol Daci.

Deri në këtë fazë të hetimeve, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 nga personat e përfshirë në ngjarje.

Në kërkim janë: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka, të cilët rezultojnë se kanë lidhje familjare me ish deputetin socialist Arben Ndoka, i cili është në kërkim nga SPAK për grup të strukturuar kriminal. Në kërkim është edhe 21-vjeçari Merando Nikulaj, i cili dyshohet se ka mbetur i plagosur në këmbë, por nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Policia ka dyshime se ngjarja në Rrilë ka lidhje me nbjë konflikt të mëparshëm mes fisit Nikulaj dhe Ndoka ndodhur në muajin mars 2025, në zonën e Kunes në Shëngjin.

RTSH

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›