E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngjarja pranë Rinasit, AMP ndalon dy punonjës të policisë për falsifikim të vulave

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimmin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë nënkomisar B.C., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve dhe inspektor A.Z., me detyrë ndihmës/specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp të AMP-së, të dy punonjësit dyshohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh. i cili ka mbetur i plagosur në atentat, pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cenimin e kushteve të sigurisë.

“Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, thuhet në njoftimin e AMP.

Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh, u konstatuan shkelje të procedurave ligjore.

Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjësitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›