E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Opozita të ndalë Berishën që të caktojë Presidentin e ri

Aksioni opozitar që pritet të fitojë një ritëm tjetër në shtator po hedh sytë nga klima e përgjithshme, fryma e popullore, siç e quan kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, në intervistën e tij për Shqip, për të aktualizuar me një forcë tjetër të gjithë problematikën social-ekonomike dhe politike që përjeton sot vendi. Regjistrimi i popullsisë, ndryshimet kushtetuese dhe çështja e Presidentit të Republikës, janë sipas Ngjelës, tema qendrore për opozitën e cila nuk mund të lejojë që edhe këto detyrime dhe garanci të sistemit tia falë një shumice, e cila në gjykimin e tij po e çon Shqipërinë drejt mjerimit.

Z. Ngjela, këto kohë vere vihet re një heshtje e opozitës e cila vjen pas një procesi zgjedhor që e ka kundërshtuar dhe kur në vend ka zhvillime të shumta. Pse ky pezullim sipas jush?

Nuk ka heshtje, ka aksion politik dhe opozita nuk është në aksion politik, në një kohë që populli po tregon se është më përpara opozitës. Cilat janë aspektet? Aspekti i parë është çështja e regjistrimit, e cila kërkon një zgjidhje dhe një qëndrim të opozitës, sepse është ndërhyrje në punët e brendshme që bëjnë fqinjët gjithmonë në Shqipëri, pasi kanë nënshtruar qeveritë shqiptare. Shqipëria ka pasur përherë një sëmundje, që qeveritë e saj kanë menduar më shumë për fqinjët se për veten. Edhe kjo qeveri bastarde që është mendon më shumë për fqinjët se për veten. Shqiptarët nuk mund të lundrojnë në det me skafe, sepse mërziten fqinjët, d.m.th, paguhet qeveria. Shqiptarët duhet të deklarojnë kombësinë, në një kohë që dihet se shqiptarët këtu janë 90-95%; është vendi më i pastër etnikisht. Pse? Se kështu duan fqinjët, që të na përçajnë. Dhe natyrisht, ata paguajnë. Kë paguajnë? Natyrisht që qeverinë. Pra, të gjitha këto së bashku me mjaft çështje po kaq të ndjeshme duhet të jenë objekt i opozitës patjetër, megjithatë do të shohim, sepse jemi në një moment pushimi.

Mendoni se këto pikëpamje do të adoptohen nga ekipi opozitar?

Unë jam opozitar dhe unë dhashë mendimin tim. Dhe, mendimin tim do tua shtroj edhe atyre. Ai është vendimi i tyre, sesi do të reagohet. Unë të dhashë mendimin tim, që populli në këto aspekte është përpara opozitës. Unë mendoj dhe shpresoj se mendimi im do të pranohet.

Ju shqetëson fakti që populli shpeshherë e tejkalon politikën në reagimet e veta?

Më shqetëson, por në këtë rast populli, shoqëria shqiptare aktualisht gjendet përballë një defekti të madh: është shkëputur shumë politika nga shoqëria. Opozita duhet ta shfrytëzojë këtë patjetër, sepse ka një mospranim, indiferencë dhe urrejtje ndaj qeverisë aktuale. E gjitha kjo krijon ndarjen mes politikës dhe popullit. Prandaj natyrshëm lind pyetja se, ku do ta gjejë vendin këtu opozita? Unë mendoj se duhet dhe do ta gjejë në frymën opozitare të popullit opozitar, që rezulton të jetë 80% sot.

Z. Ngjela, duket se kemi hyrë tashmë në procesin e diskuitmit për zgjedhjen e Presidentit. A do ta ketë opozita pjesë të aksionit të saj temën në fjalë?

Aspekti i tretë i frymës opozitare në Shqipëri është që nuk duhet ta lejojë një kryeministër të paligjshëm, një bastard që vjedh dhe manipulon votat, që të shkojë deri te momenti i Presidentit. Nuk duhet ta lejojë me të gjitha mjetet, n.q.s nuk do shkëputet nga interesi i shoqërisë shqiptare. Interesi i shoqërisë shqiptare sot në mënyrë imediate i shtron opozitës ndalimin me çdo mjet dhe formë të këtij kryeministri ashqiptar, që të lejojë të marrë në dorë kreun e shtetit. Sepse, është pjesë e një parlamenti dhe mazhorance të paligjshme, e cila pse është e këtillë, na çon drejt një tiranie. Një tirani që do të na kushtojë shumë shtrenjtë. Opozita duhet ta ndalojë me çdo mjet, sepse kështu do fryma e popullit.

A do të vijojë aksioni i opozitës, qoftë edhe nën forma të tjera, për ndryshimin e Kushtetutës?

Nuk mund të them njëherë për njëherë, por që do ketë format e veta, patjetër brenda kontekstit që unë shpjegova.

A ka negocime nga ndërkombëtarët për krizën?

Opozita në shtator do nxjerrë programin e vet, që sipas zhvillimeve të deritanishme përfaqëson drejtimin ekonomik, politik, institucional, në mënyrë që të tregojë aspektet e reja të qeverisjes dhe ta nxjerrë vendin nga një krizë që po degradon dhe që po e çon Shqipërinë në mjerim. Shqipëria sot, si pasojë e një krize e cila vjen kryesisht nga mungesa e menaxhimit qeveritar, po kalon nga varfëria në mjerim. Shikoni gjendjen e turizmit, konsumit dhe kompanive, që janë të gjitha drejt falimentit. Shikoni edhe çështjet e tjera të karakterit ekonomik si borxhi, çështjet e bankave etj. Të gjitha këto konvergojnë në një pikë: drejt mjerimit. Opozita nuk ka pra, asnjë axhendë tjetër veç largimit sa më shpejt të jetë e mundur të kësaj qeverie për të gjitha arsyet që ju thashë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›