E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjyrat e Nëntorit të 12-të

Nga 25 Nëntori deri më 6 Dhjetor, 32 artistë ekspozojnë në Muzeun Kombëtar



Më 25 Nëntor në Muzeun Historik Kombëtar hapet edicioni i 12-të i ekspozitës "Nëntori". Këtë vit marrin pjesë 32 piktorë, 3 prej tyre artistë të rinj Andi Hila, Emil Pejtamalli dhe Sonilda Bardhoshi. Për dy javë rresht, në muret e Muzeut ekspozojnë pikturat e tyre Agim Zajmi, Agron Mesi, Aleksandër Filipi, Adrian Devolli, Avenir Sadikaj, Bashkim Dervishi, Besim Tula, Buron Kaçeli, Eniela Veveçka, Gëzim Tafa, Gjergji Marko, Hasan Çapari, Hasan Nallbani, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Taçi, Ledia Kostandini, Merita Selimi, Nikolin Ivanaj, Niko Progri, Pashk Përvathi, Petro Kokushta, Robert Guci, Sali Shijaku, Stefan Taçi, Zef Shoshi, Ziso Kamberi, Vilson Kilica, disa prej tyre të pranishëm që në vitin e parë të hapjes së "Nëntorit". Artistët prezantohen me portrete, peizazhe, natyra të qeta, tema të lira ku spikatin.

Modeli i ndjekur deri më tani për punën që pranohet në ekspozitë, sipas organizatorit Besim Tula, është "piktura figurative ku është shfrytëzuar mirë ana koloristike e saj". Edhe pa qenë vëzhgues i mirë i artit, përdorimi i ngjyrës vihet re tek të gjithë pikturat që prezantohen këtë vit: Ajo me titull "Urbane" e piktorit Agron Mesi, "Portret" nga Agim Zajmi, "Kompozim" nga Hasan Nallbani, peizazhi i Ksenofon Dilos "Vjeshtë anës Lumit", "Revoltë në ferr"nga Llazar Taçi, "Ciganja" e Pashk Përvathit, "Ngjyrat e vjeshtës" së Robert Gucit, "Jeta është e bukur" e Stefan Taçit etj.

Që në vitin e parë të hapjes, "Nëntori" , i është përmbajtur të njëjtit profil, duke ftuar të marrin pjesë vetëm piktorë të ngjyrës dhe kombinues të mirë të saj. Pyetjes se "Përse këmbëngulet në ruajtjen e kësaj rruge?", Besim Tula i jep këtë përgjigje: "Një prej mënyrave për të arritur rezultat është të ruash një drejtim në art, për të hyrë më thellë në mundësitë e tij. Kjo të krijon përparësinë të arrish në pikën e lartë: Të krijosh "ngjyrën" tënde. Sa më shumë t'i përkushtohesh një fushe aq më i mirë është rezultati".


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›