Ngrihet komisioni për zgjedhjen e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit, Bardhi: S’keni legjitimet

Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të përzgjedhur Niko Peleshin në krye të Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me debate në seancën e parë të Parlamentit, ku opozita, përmes Gazment Bardhit, e kundërshtoi emrin e tij.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike e cilësoi kandidaturën e Peleshit dhe procesin e zgjedhjes si tërësisht të papranueshëm, duke e akuzuar mazhorancën për mungesë legjitimiteti dhe lidhje me korrupsionin.
“Kjo shumicë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, aq më tepër emri i përzgjedhur është sikur të ulësh në karrigen numër 2 të shtetit shqiptar, Klodian Zoton. Se të vendosësh mikun e Klodian Zotos është njëlloj si të vendosësh vetë Klodian Zoton. Me këtë propozim që ju po bëni, thjesht po na tregoni që filozofia juaj e vetme e qeverisjes është vjedhje, krim, korrupsion dhe prandaj ne nuk marrim pjesë në këtë proces”, tha Bardhi.
Megjithatë, Kuvendi e vijoi procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit. Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi tre emra për anëtarët e komisionit që mbikëqyri procesin.
“Bazuar në nenin 6 të rregullores për ngritjen e këtij komisioni, propozojmë z. Fadil Nasufin, z. Samir Hasalla dhe Bledi Çomo”, u shpreh Balla.
Ndërkaq më herët, deputetët bënë betimin në Kuvend, ndërsa kryetarja e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve, Milva Ekonomi, njoftoi se dy deputetë, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, kanë dorëzuar shkresa për heqjen dorë nga mandati i tyre si deputetë.
/rtsh.al/