Nis dhënia e vendimit për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin në Hagë

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, presin sot aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.
Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Trupi gjykues që po shqipton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.
Ai po lexon përmbledhjen e aktgjykimit në seancën publike në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Vendimi po jepet në transmetim publik nga salla e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë në sallë, ku po shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj tyre. /REL/