Nis fshesa në Vlorë për vrasjen mafioze të Gëzim Sinomatajt, të dyshuarit përfundojnë në komisariat

Disa persona janë shoqëruar nga policia në Vlorë, të cilët dyshohen si të përfshirë apo që kanë dijeni për vrasjen e 22-vjeçarit Gëzim Sinomataj.
Forca të shumta policie janë parë të ushtrojnë kontrolle në qytet, ndërsa disa prej të shoqëruarve u jane gjetur edhe armë.
Por këta të fundit të njohur për problemet me ligjin, nuk dihet ende nëse kanë lidhje me ekzekutimin mafioz të 7 janarit.
Edhe një ditë më parë RENEA ushtroi kontrolle në Vlorë pasi dyshohej se vrasësit e djalit të ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait” Sokol Sinomataj, fshiheshin brenda në qytet.
Pikërisht nisur nga historia kriminale që i ati i viktimës ka, policia dyshon se në ekzekutimin mafioz janë të përfshirë emra të njohur krimit të organizuar.
Gëzim Sinomataj u vra me snajper mbrëmjen e 7 janarit, kur sapo kishte dale në ballkonin e shtëpisë në lagjen “Hajro Çakërri”.
Vetëm 5 minuta pas ngjarjes efektivët e policisë gjetën duke u djegur makinën e krimit. Gëzim Sinomataj nuk rezulton të jetë hetuar asnjëherë brenda dhe jashtë vendit për veprimtari kriminale. Kjo e bën policinë ta përqëndrojë më shumë hetimin te ngjarjet e së shkuarës, ku i përfshirë ka qenë i ati./vizionplus.tv