Nis korrja e misrit në Maliq, fermerët shtojnë sipërfaqet e mbjella

Fermerët e fushës së Maliqit kanë nisur tashmë korrjen e misrit, një ndër kulturave kryesore të prodhuara nga fermerët. Kushtet atmosferike kanë qenë të favorshme për kryerjen e këtij procesi bën me dije Drejtori i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në bashkinë Maliq.
“Korrja e prodhimit po vazhdon në masë dhe e kanë favorizuar dhe kushtet atmosferike dhe temperaturat e larta. Vazhdon korrja me kalli që depozitohen në hangar”, u shpreh drejtori i Bujqësisë, bashkia Maliq, Arben Dulellari.
Dulellari thotë se shtimi i sipërfaqeve të mbjella me misër këtë vit ka ardhur si shkak i kërkesave në treg por edhe sepse prodhimi ka qenë cilësor, duke qenë se fermerët zgjedhin kultivarë që japin rendiment.
Sipërfaqet e mbjella me misër këtë vit në fushën e Maliqit shkuan nga 1362 HA që ishin një vit më pare, në rreth 3500 HA. Në qarkun e Korçës kultura e misrit zë një sipërfaqe toke të konsiderueshme me rreth 6 mijë hektarë të mbjella.
Gazetare:G. Sali
/RTSH/