Nis mbledhja e boronicës së egër – Aktivitet për shumë familje, në Kukës shitet me 1000 lekë kg

Në zonën malore të Kukësit ka nisur mbledhja e boronicës së egër, një nga bimët mjekësore më të kërkuara në treg, si në nivel lokal ashtu edhe për eksport. Pjesa më e madhe e boronicës pritet të tregtohet pas datës 10 gusht në tregun e Kukësit, ndërsa aktualisht vazhdon procesi i mbledhjes.
“Zakonisht e nxjerrim në treg pas datës 10 gusht”, tha një fermer.
Boronica mblidhet kryesisht në bjeshkët e njësive administrative të Kukësit, si Shishtavec, Topojan, Zapod dhe Bushtricë etj. ku terreni malor dhe klima e freskët krijojnë kushte të favorshme për rritjen natyrale të këtij fruti.
Një nga mbledhësit, Ramadan Martini nga fshati Çajë, tregon se aktualisht janë në fazën intensive të mbledhjes, por sasia është më e vogël krahasuar me vitet e kaluara. Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta kanë ndikuar ndjeshëm në prodhimtarinë dhe cilësinë e frutit.
“Boronica sivjet ka qenë e dobët se ka qenë thatësi dhe nga koha nuk është zhvilluar siç duhet”, tha mbledhësi, Ramadan Martini.
Për shumë familje të zonave malore, mbledhja e bimëve mjekësore, e sidomos boronicës, është një aktivitet jetik ekonomik që përsëritet çdo verë.
Sezoni i mbledhjes së boronicës nis zakonisht në dhjetëditëshin e fundit të korrikut dhe vijon përgjatë muajit gusht. Boronica e egër e mbledhur në bjeshkët e Kukësit njihet për vlerat e saj ne shëndet dhe është ndër bimët mjekësore më të kërkuara në treg.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/