E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis raundi i dytë i regjistrimeve në universitetet publike

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Në të gjitha universitetet publike ka nisur sot raundi i dytë i regjistrimeve për vitin e ri akademik 2026-2027.

Regjistrimi i kandidatëve fitues do të nisë sot dhe do të vijojë deri më 4 tetor, përmes 5 fazave 48-orëshe.

Në këtë raund përfshihen kandidatët që nuk arritën të regjistrohen në raundin e parë, dhe u shpallën fitues, pasi aplikuan edhe njëherë për universitet.

Çdo kandidat i shpallur fitues ka dy ditë kohë për të kryer regjistrimin. Në të kundërt vendi i tij i kalon automatikisht kandidatit pasardhës në listën e pritjes.

Pas përfundimit të këtyre fazave do të hapet edhe periudha 24-orëshe e çregjistrimit, për kandidatët që dëshirojnë të ndryshojnë programin e studimit.

Për regjistrimin, kandidatët duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit ose pasaportës, kopjen e diplomës/dëftesës së Maturës dhe certifikatën e notave, mandatin e pagesës së tarifës së regjistrimit, si dhe deklaratën e plotësuar dhe të nënshkruar në sekretari. Në raundin e parë u regjistruan rreth 16 mijë maturantë. Disa programe studimi u ezauruan që në këtë fazë, mes tyre tre programet kryesore të Universitetit të Mjekësisë, Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji dhe Farmaci.

Kërkesë të lartë pati edhe për programet e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku kuotat për programet e Arkitekturës dhe Urbanistikës u plotësuan në masën 100%.

Ndërkohë, raundi i tretë i aplikimeve për maturantët do të zhvillohet nga 8 deri më 21 tetor 2026.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›