E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis samiti i Klimës në Azerbajxhan, merr pjesë edhe kryeministri Rama, në fokus ngrohja globale

Liderë shtetesh, ministra dhe zyrtarë të tjerë nga 200 vende të janë mbledhur në Azerbajxhan për të ndjekur punimet e konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.

Nga Shqipëria, ka mbërritur për vizitë dy ditore në Baku edhe kryeministri Edi Rama. Fokusi i samitit do të jetë se si të parandalohet ngrohja globale, por edhe pasojat e saj vdekjeprurëse.

Në këtë konferencë dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga valët e të nxehtit, stuhitë dhe përmbytjet, dhe që intensiteti i tyre është rritur për shkak të ndryshimeve klimatike.

Shtetet në zhvillim dhe organizatat për ambientin presin nga  vendet e pasura që të mobilizohen për të ndarë të paktën 1 trilion dollarë në vit.

Për të financuar këtë rritje, aktivistë për klimën janë duke propozuar rritjen e taksave për të pasurit, si dhe vendosjen e taksave shtesë për nxjerrje të qymyrit, naftës dhe gazit.

Organizatat joqeveritare shqetësohen se samiti i njohur si Konferenca e Palëve do të mbetet në hije nga fitorja e Donald Trumpit si president amerikan.

Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, ai pati urdhëruar largimin e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›