E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis shpërndarja e subvencioneve për fermerët, 527 aplikime të miratuara në qarkun e Gjirokastrës

Ka nisur shpërndarja e fondeve nga skemat kombëtare të subvencioneve për fermerët, aplikimet e të cilëve janë miratuar. Në qarkun e Gjirokastrës janë miratuar 527 aplikime. Sipas specialistit të bujqësisë, Mejdi Metaj, procesi i shpërndarjes së fondeve për aplikimet e miratuara ka nisur dhe fermerët përfitues do të marrin mbështetjen financiare në bazë të masave për të cilat kanë aplikuar.

“Kjo periudhë përkon me lëvrimin e fondeve për fermerët që kanë kaluar ose u është miratuar aplikimi. Në këtë fazë që flasim, jemi në një raport shumë të mirë të aplikimeve të miratuara. Nga 664 aplikime që ka gjithsej qarku i Gjirokastrës, 527 janë miratuar. Në mesin e skemave të mbështetjes, interesin më të madh nga fermerët e qarkut të Gjirokastrës e kanë përfituar masat 8, 11 dhe 12. Sipas të dhënave, këto masa kanë numrin më të lartë të përfituesve”, u shpreh Mejdin Metaj, specialist i bujqësisë.

Skemat kombëtare të subvencioneve synojnë të mbështesin fermerët në zhvillimin e aktivitetit të tyre dhe në rritjen e kapaciteteve në sektorin bujqësor e blegtoral.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›